1. Misioni
Misioni i Departamentit të Administrimit të Biznesit (Departamenti BUS) është t’u ofrojë studentëve njohuri dhe kompetenca të integruara në fushën e biznesit, përmes të nxënit praktik, inovacionit digjital dhe mësimdhënies të mbështetur në kërkimin shkencor. Departamenti synon të nxisë kureshtjen intelektuale, gjithëpërfshirjen dhe zhvillimin e aftësive drejtuese, duke përgatitur profesionistë të aftë të krijojnë vlerë të qëndrueshme dhe të kontribuojnë pozitivisht në zhvillimin e tregut.
Të diplomuarit tanë synohet të jenë të përgatitur për tregun e punës, të angazhuar në zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe të aftë të japin kontribut efektiv në ndërtimin dhe zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme të biznesit. Njëkohësisht, Departamenti angazhohet që rezultatet e të nxënit të jenë në përputhje me nevojat dhe zhvillimet e vazhdueshme të tregut të punës, përmes rishikimit periodik të kurrikulave dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me sektorin e biznesit.
2. Vizioni
Ekosistemi i Biznesit Shqiptar po hyn në një epokë transformuese të karakterizuar nga praktikat më të mira dhe historitë e suksesit me ndikim. Vizioni i Departamentit BUS është të:
3. Konteksti dhe Kufizimet
Departamenti funksionon në një strukturë ku klasat, laboratorët dhe infrastruktura digjitale janë të përbashkëta ndërmjet fakulteteve dhe nuk ka një buxhet të dedikuar për Departamentin. Vendimet kryesore në lidhje me zhvillimin digjital, infrastrukturën dhe programet e ciklit të dytë merren në nivel universiteti ose fakulteti. Për këtë arsye, plani strategjik përqendrohet në iniciativa me ndikim të lartë, që nuk kërkojnë kosto shtesë dhe që janë në përputhje me prioritetet institucionale.
4. Motoja
"Studentët e sotëm, udhëheqësit e dijes së nesërme."
5. Sfidat
Për shkak të ndryshimeve të shpejta teknologjike dhe zhvillimeve në mjedisin ekonomik, është e qartë se Departamenti i Administrimit të Biznesit do të përballet me disa sfida në vitet e ardhshme. Një ndër sfidat kryesore është krijimi i një mjedisi që u mundëson studentëve të zhvillojnë dhe të përdorin në mënyrë efektive aftësitë e tyre analitike, duke përfituar njëkohësisht nga zhvillimet teknologjike. Për këtë qëllim, Departamenti mbështetet në staf të kualifikuar, bibliotekën qendrore dhe hapësirat e përbashkëta për punë dhe bashkëpunim të studentëve, me synim përmbushjen e objektivave akademike dhe profesionale.
Një tjetër sfidë është ruajtja dhe forcimi i marrëdhënieve me profesionistët e biznesit, institucionet akademike, qendrat kërkimore dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm. Në të njëjtën kohë, Departamenti duhet të zgjerojë fushat e kërkimit shkencor dhe të krijojë njësi ose grupe kërkimore, duke ndërtuar bashkëpunime të formalizuara përmes marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit me institucione të tjera. Këto bashkëpunime synojnë zhvillimin e kërkimit shkencor të orientuar drejt nevojave dhe problematikave konkrete të biznesit.
Së fundi, duke marrë parasysh rritjen e numrit të studentëve në Departament, veçanërisht në programin e Informatikës së Biznesit, është e nevojshme të planifikohen skenarë të përshtatshëm për rekrutimin e stafit të ri akademik të kualifikuar dhe sigurimin e infrastrukturës së nevojshme për procesin mësimor. Duke qenë se bizneset dhe tregjet karakterizohen nga ndryshime të vazhdueshme, Departamenti i Administrimit të Biznesit duhet të ndjekë në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet e sistemeve komplekse dhe në ndryshim të biznesit, me qëllim përshtatjen e kurrikulave me nevojat dhe kërkesat e ardhshme të tregut.
6. Burimet
Kërkesa e tregut për programe të tilla si Informatika e Biznesit dhe Menaxhimi i Marketingut Ndërkombëtar dhe Logjistikës është në rritje. Që nga hapja e këtyre programeve, përkatësisht në vitet 2011 dhe 2012, studentët kanë treguar rezultate dhe potencial të mirë, ndërsa shkalla e punësimit të të diplomuarve të Departamentit të Administrimit të Biznesit ka mbetur në nivele të larta.
Aktualisht, numri i studentëve në Departamentin e Administrimit të Biznesit është rreth 660, dhe pritet të vijojë të rritet në vitet e ardhshme. Duke marrë parasysh këtë zhvillim, Departamenti duhet të jetë i përgatitur, siç theksohet edhe në seksionin “Sfidat”, për të përballuar rritjen e numrit të studentëve, duke garantuar disponueshmërinë e stafit akademik të kualifikuar dhe të infrastrukturës së përshtatshme për procesin mësimor.
7. Arritjet
Që nga krijimi i Departamentit të Administrimit të Biznesit, është ndërtuar dhe zhvilluar një qasje e bazuar në rrjetëzim dhe bashkëpunim me aktorë të ndryshëm. Vizitat në kompani, ditët e industrisë dhe forumet e hapura kanë qenë ndër nismat kryesore për lidhjen e studentëve me botën e biznesit dhe praktikën profesionale.
Në përputhje me parimet e mobilitetit të përcaktuara nga Procesi i Bolonjës dhe Programi Erasmus, Departamenti i Administrimit të Biznesit ka krijuar një sërë marrëveshjesh që u mundësojnë studentëve, si dhe stafit akademik dhe administrativ, të përfitojnë nga përvoja në mjedise shumëkulturore. Aktualisht, Departamenti ka marrëveshje Erasmus me University of Applied Sciences Mainz, ESIC University në Spanjë, International University of Logistics and Transport në Wrocław, Poloni, University of International Studies of Rome në Itali, Hochschule Fulda dhe University of Applied Sciences në Gjermani, si dhe University of Cassino and Southern Lazio në Itali.
Në fushën e kërkimit shkencor, Departamenti i Administrimit të Biznesit është i pari në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ka krijuar një Njësi/Grup Kërkimor të dedikuar kërkimit mbi biznesin social, në bashkëpunim me Yunus Social Business Balkans. Departamenti është gjithashtu ndër të parët në rajon që ka ofruar një program masteri të fokusuar në Biznesin Social dhe Qëndrueshmërinë. Angazhimi në kërkim është zgjeruar më tej përmes projekteve të përbashkëta studentë–staf akademik, pjesëmarrjes në konferenca rajonale dhe zhvillimit të rasteve studimore që lidhen me nevojat dhe problematikat e kontekstit vendas.